Serbia do të marrë një vendim që synon t’i kundërvihet një vendimi të Qeverisë së Kosovës, që në kadastër të regjistrojë pronat publike dhe biznese e fabrika të ndërtuara në kohën e ish-Jugosllavisë.

Shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, i ka quajtur veprimet në Prishtinë të nënshkruar nga Kryeministri, Isa Mustafa si kriminale. Ai ka pritur krerët e komunave serbë nga Kosova.

“Ky vendim i qeverisjes në Prishtinë është tentim shumëvjeçar të udhëheqësve separatistë të legalizohet rrëmbimi dhe plaçkitja e pronës shtetërore në krahinën tonë jugore që të shkatërrojë ekonomiksht serbët në Kosovë dhe të përmbyll procesin e spastrimit etnik”, tha Gjuriç.

Serbët kërkojnë pronat në Kosovë, që pretendojnë se i takojnë Serbisë dhe ndërmarrjeve të ish-Jugosllavisë, nga pronat publike, aeroporti, Trepça e deri tek Parku Kombëtar i Sharrit.

Për këtë kanë reaguar edhe dy ministra serb.

Ivica Dacic, ministër i Jashtëm serb: Këto janë veprime të pakuptueshme politike dhe veprime të atyre që më nuk e dinë se çfarë të bëjnë.
 
Aleksandar Vullin, ministër për Punë Sociale: Prishtina e ka kuptuar që bisedimet në Bruksel nuk çojnë tek pavarësia dhe është duke bërë gjithçka t’ia humb kuptimin marrëveshjeve të arritura.

Por, nuk ka vonuar edhe përgjigja nga Prishtina. Qeveria e Kosovës e konsideron këtë një çështje të mbyllur pasi, siç thuhet, nuk mund të diskutohet për territorin brenda Kosovës në Bruksel dhe se Kosova ka vepruar si çdo republikë ish-Jugosllave.

Top Channel