Kosovë, akuza ndaj ministrit serb Jevtiç dhe dy zyrtarëve të tjerë

15/03/2017 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës, kundër ministrit për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiç. Veç tij, akuzohen edhe Nenad Stojçetoviç, sekretar në të njëjtën ministri, si dhe Mihailo Prlinçeviç, drejtor i Departamentit të Administratës dhe Financave të kësaj ministrie.

Sipas aktakuzës, ata dyshohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Tre të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre, me qëllim që të përfitojnë dobi për vete apo persona të tjerë, e njëkohësisht t’i shkaktojnë dëme dikasterit përkatës.

“I pandehuri D.J., në kundërshtim me nenin 16 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, ka nxjerr vendimin me nr.172/2 të datës 11.02.2014, me të cilin i jep në shfrytëzim të përhershëm të një (1) automjeti zyrtar pronë e Ministrisë një kompanie private, përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë komuna e Graçanicës”, thotë Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes një njoftimi për media.

“Ndërkaq, i pandehuri N.S, si person përgjegjës për menaxhimin e pasurisë se kësaj Ministrie duke e ditur se një vendim i tillë është i kundërligjshëm ai pajtohet me një veprim të tillë dhe urdhëron zyrën ligjore të kësaj Ministrie që të përpiloj kontratën (marrëveshjen) mbi dhënien e automjetit në shfrytëzim të përhershëm Radio KIM TV-Centar me seli në Çagllavicë. I pandehuri i tretë, M.P. si person përgjegjës në departamentin e administratës dhe financave në këtë Ministri, duke nënshkruar kontratën me nr.172/2 të datës 11.02.2014 në mes të ministrisë dhe Radio KIM TV- Centar me seli ne Çagllavicë duke dhënë në shfrytëzim të përhershëm automjetin e përmendur zyrtar”, theksohet më tej në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Top Channel