“Fake news”, “kurbanët” e parë të Donald Trumpit

15/03/2017 00:00

Rrjeti publik i transmetimit në Tanzani, “TBC” ka pezulluar 9 gazetarë të redaksisë pasi në të u shfaq një reportazh i rremë ku thuhej se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kishte lavdëruar performancën e presidentit të Tanzanisë, John Magufuli.

Artikulli në fjalë ishte shfaqur edhe në një faqe interneti të quajtur “Fox Channel”. Reportazhi, i transmetuar javën e kaluar, thoshte se Trump e kishte quajtur Magufulin një “hero afrikan”, krahasuar me udhëheqësit e tjerë që “nuk po bëjnë asgjë”.

Një deklaratë e “TBC”-së njoftonte se nuk ishin ndjekur linja redaksionale e saj. Drejtori i përgjithshëm i rrjetit televiziv, Ayub Chacha tha se stacioni televiziv duhej të kishte verifikuar informacionin, përpara se ta shfaqte atë.

Sipas reportazhit, presidenti amerikan u kishte bërë thirrje udhëheqësve të tjerë afrikanë që të ndiqnin shembullin e Magufulit, me theks në qeverisjen e tij të mirë dhe luftën kundër korrupsionit. Magufuli, i konsideruar si një “buldozer” për shkak të dorës së ashpër në qeverisje, ka shpallur një luftë publike ndaj korrupsionit që e bëri atë të fitonte mbështetje lokale dhe ndërkombëtare.

Artikulli thoshte se Trump i kishte bërë këto komente teksa nënshkruante një urdhër ekzekutiv që përjashtonte shtetasit e Tanzanisë nga ndalimi i hyrjes së afrikanëve në SHBA, nga vendet që ai pretendohet të ketë thënë se “presidentët nuk bëjnë asgjë dhe kanë refuzuar të japin dorëheqjen nga postet”.

Top Channel