Plan kundër Trump? zv.Presidenti Pence: Absurde!

15/03/2017 00:00

Pretendimeve të Julian Assange se Hillary Clinton dhe dy zyrtarë të lartë të inteligjencës po punojnë për të zëvendësuar Donald Trumpin me Mike Pence, zëvendëspresidenti amerikan iu përgjigj me etiketimin “absurde” dhe “ofenduese”.

“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të shërbej në krah të Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Pence.

Supozimet e themeluesit të “Wikileaks”-it u pasqyruan me shpejtësi në mediet e huaja, së bashku me detajet që ai ofronte në mbështetje të pohimeve të veta.

Ish-Sekretarja e Shtetit dhe pretendentja për presidencën amerikane, sipas Assange e konsideron Pence “të parashikueshëm”, gjë që e bën atë një person i cili mund të mposhtet.

“Clinton është shprehur përpara një rrethi të ngushtë njerëzish se po bën fshehurazi përpjekje që pushtetin ta marrë numri dy i administratës”, lexohet në mesazhin e parë të Assange në “Twitter” mbi këtë çështje.

Në postimin e dytë, ai flet për dy oficerë të shërbimeve të inteligjencës, që janë shumë pranë Pence, e që po planifikojnë në mënyrë aktive vendosjen e tij në krye të qeverisë, ndonëse nuk është e qartë nëse “vet” numri dy i Shtëpisë së Bardhe është dakord.

“Bëhet fjalë për një lëvizje drejt shkarkimit të Trumpit e jo ndonjë veprimi tjetër”, sqaron Assange.

Reagimi i zëvendëspresidentit, megjithatë nuk lë shumë shteg për interpretime. “Kur shoh lidershipin e tij sot, – thotë Pence duke iu referuar qeverisjes së Trumpit, – kur shoh dhembshurinë që tregon çdo ditë për popullin amerikan, sajesa të tilla më duken krejtësisht të pavend. Jam i ngazëllyer nga progresi që kemi pasur në forcimin e këtij vendi, – shton ai, – në mbrojtjen e kombit dhe në ripërtëritjen e ekonomisë, e meritat për të gjitha i takojnë Presidentit Donald Trump”.

Top Channel