Kosovë, Delawie kërkon ndalimin e nismës së Thaçit për ushtrinë

15/03/2017 00:00

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie i ka paralajmëruar autoritetet kosovare për pasoja, nëse themelojnë ushtrinë përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në.

Në një intervistë për gazetën online “Insajderi”, Delawie ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar prej kohësh që Kosova të ketë ushtri, por nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe në konsultim me të gjitha komunitetet në Kosovë.

Diplomati amerikan ka thënë se ka qenë i habitur me propozimin e Presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e projektligjit të FSK-së, hap që për më tepër e ka bërë të ndihet i zhgënjyer për shkak të të gjithë përkushtimit të SHBA-ve për të ndërtuar kapacitetet aktuale të FSK-së.

Ambasadori amerikan ka hedhur poshtë gjithashtu deklaratat e fundit të krerëve të Kosovës, presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli, të cilët kanë thënë se formimi i ushtrisë së Kosovës është duke u bërë në koordinim të plotë me partnerët.

“Kjo nuk është mënyra sesi ne parashikuam që të ndodhë procesi. Kjo me të vërtetë nuk e pasqyron përmbajtjen e diskutimeve që kemi pasur me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën e afërt”, ka thënë Delawie. “Ne punojmë ngushtësisht në partneritet lidhur me këto çështje. Kjo është arsyeja pse u befasuam disi dhe u zhgënjyem kur ky projektligj u paraqit javën e kaluar sikur të kishte rënë nga qielli”.

Ambasadori Delawie ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë nismën për formimin e ushtrisë në këtë kohë. Ai ka bërë thirrje që të reflektojnë për pasojat e mundshme, nëse vazhdohet në mënyrën e propozuar javën e kaluar.

“Shpresoj që Qeveria e Kosovës të ndalet dhe të fillojë një përpjekje për të siguruar mbështetje të gjerë të bashkësive të Kosovës për këtë hap, e të punojë ashtu siç ne e kemi diskutuar gjithmonë. Sigurisht, Shtetet e Bashkuara me kënaqësi do të punojnë me njerëzit e Kosovës për këtë çështje”, ka thënë Delawie.

Kur është pyetur se çfarë nënkupton me pasoja, ambasadori Delawie ka thënë se “shpreson që kurrë nuk do ta marrë vesh këtë”.

Top Channel