Leverkusen, talenti minoren mungon ndaj Atleticos…prej provimit

15/03/2017 00:00

Shpesh kemi dëgjuar nëpër familje t’i thuhet një adoleshenti se “nëse nuk ka mbaruar detyrat, nuk mund të dalë të luajë”. Gjithçka duket mëse normale, pasi fillimisht duhen përfunduar punët e më pas argëtimi.

E njëjta gjë duket se i ka ndodhur edhe talentit minoren gjerman të Bayer Leverkusen, Kai Havertz, i cili duhet të heqë dorë jo nga ndonjë ndeshje dosido “lagjeje”, por një sfidë decizive në Champions League.

Edhe pse pak gjasa ka që të ndikojë në ekipin gjerman, Kai Havertz është njoftuar se nuk do të mund të grumbullohet me skuadrën e tij për transfertën kundër Atletico Madrid, në “Vincente Calderon”. Dhe motivi është pikërisht një provim në shkollë. Zyrtarizimin e mungesës së tij për ndeshjen e ardhshme e ka bërë vet klubi i Leverkusenit, përmes një njoftimi në “Twitter”.

“Havertz do të mungojë për një provim të rëndësishëm”, shkruan klubi. Një histori e “dhimbshme” për një talent premtues si ai, ende minoren, por që ka zënë vendin e titullarit të padiskutueshëm në skuadër. Debutimin e kishte bërë më 15 tetor të vitit të kaluar kundër Werder Bremen, e prej atëherë numëron 19 ndeshje (3 prej të cilave në Champions), por edhe 3 asiste për golashënuesit e Leverkusenit.

Ai pritet ta mbështesë skuadrën nga dhoma e tij e studimit, ndoshta duke parë televizor por pa zë, e duke hedhur sytë sa te libri, e sa te ndeshja.

Top Channel