Pittella: Të rinisë procesi i aderimit për vendet e Ballkanit

15/03/2017 00:00

Kreu i grupit socialist në Parlamentin Europian, Gianni Pittella deklaroi se Strasburgu po i ndjek me shqetësim zhvillimet në Ballkan dhe sidomos ato në Maqedoni.

Parlamenti e shtyu zyrtarisht seancën plenare, ku do të votohej progresraporti i saj për vitin 2016, duke nxjerrë si argument situatën e trazuar politike që nuk po merr zgjidhje.

Raportuesi për Maqedonine ishte ai që doli me propozimin të pritet e të shihet se çfarë rrjedhe do të marrin ngjarjet.

“Dua t’i dërgoj Ballkanit mesazhin e një politike të hapur dhe rivendosjes së besimit në marrëdhëniet pozitive mes BE-së dhe rajonit”, u shpreh Pittella. “Ne dëshirojmë që procesi i aderimit për vendet e Ballkanit Perëndimor të rinisë pas vitit 2019. Dua gjithashtu të theksoj se këto shtete përbëjnë për ne një prioritet politik”, shtoi ai.

Partitë Popullore Europiane kanë ngritur gjithashtu shqetësimin e tyre mbi zhvillimet e fundit në Ballkan, veçanërisht ato në Maqedoni, Kosovë e Bosnje-Hercegovinë.

Kreu i grupit më të madh politik brenda PE-së, Manfred Weber flet për një rritje të tensioneve që po alarmon bllokun, i cili – siç thotë ligjvënësi europian, – e konsideron rajonin si pjesë të Europës së bashkuar.

Një ditë më parë, kreu i LSDM-së Zoran Zaev dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti, zhvilluan konsultimet për aktivizimin e Kuvendit. Ahmeti sqaroi pas takimit se, ky është prioriteti kryesor tani, rivënia në funksion e Parlamentit, zgjedhja e kreut të tij dhe të njoftohet zyrtarisht presidenti Ivanov mbi krijimin e shumicës parlamentare dhe programin e qeverisë, me qëllim dhënien e mandatit.

Për analistin e “The Economist”, Tim Judah, mundësia që LSDM-ja dhe BDI-ja të formojnë qeverinë është më e madhe sesa mbetja në pushtet e Nikola Gruevskit. Judah, një njohës shumë i mirë i problematikave rajonale, thotë se nuk duhet lejuar përshkallëzimi i krizës në konflikt etnik, skenar ky që sipas analistit nuk mund të përjashtohet.

Top Channel