Humbja me Thun, Tramezzani u jep leksion lojtarëve të Luganos

14/03/2017 00:00

Sa herë që zhgënjehen nga skuadra e tyre e zemrës, tifozët shpesh thërrasin “punoni, shkoni të punoni”. Megjithatë, këtë leksion duket se e ka mbajtur vath në vesh dhe e ka bërë realitet një trajner italian, jo i panjohur për shqiptarët, pasi deri pak kohë më parë ishte ndihmësi i De Biasit te kombëtarja kuqezi.

Bëhet fjalë për teknikun e Luganos, Paolo Tramezzani, i cili pas humbjes së thellë të skuadrës së tij me Thunin e renditur në fundin e tabelës së klasifikimit, i ka zgjuar pa zbardhur lojtarët dhe në vend që t’i çonte në fushën stërvitore, i ka nisur drejt një fabrike të kantonit italishtfolës zviceran Ticino.

Aty, lojtarët kaluan mëngjesin së bashku me punonjësit e kompanisë. Një mënyrë kjo, sipas asaj që kishte ndërmend trajneri italian, për të zgjuar një skuadër në dukje të humbur dhe pa grintë.

Një nismë e tillë në fakt nuk është unike, po të kujtosh precedentin e pak viteve më parë, kur Sinisa Mihajloviç nën drejtimin e Sampdorias, e nxori skuadrën për stërvitje në 7 të mëngjesit, pas një serie rezultatesh zhgënjyese.

Vendimi i Tramezzanit erdhi pasi Lugano humbi në ndeshjen e fundit të kampionatit me Thun me një rezultat të thellë 5-2. Renditja e klubit është shqetësuese, por ish-ndihmësi i De Biasit e mori drejtimin e Luganos në fillim të këtij sezoni, duke pasuar Zdenek Zeman, pikërisht me synimin për ta mbajtur në Superligën zvicerane.

Mëgjensin e së hënës ai thirri të gjithë skuadrën në stadiumin “Cornaredo”, i karikoi moralisht dhe i dërgoi në Davesco përpara një fabrike ndërtimi që në 6 të mëngjesit, madje edhe më herët sesa vet punonjësit të ishin të pranishëm në të. Synimi ishte t’u tregonte lojtarëve sesi njerëzit e thjeshtë fitonin bukën e gojës. Një shtrëngim duarsh me punonjësit, një vizitë e shpejtë në fabrikë, e më pas rikthimi në fushën stërvitore, me shpresën që leksioni t’u ketë shërbyer disi të besuarve të tij.

“Nuk duam të komentojmë. Ishte një nismë e trajnerit, të cilës nuk duam t’i bëjmë publicitet”, ishte komenti i drejtorit të përgjithshëm të Luganos, Michele Campana. “Nuk dua të përzihem, Tramezzani mund të bëjë çfarë të dojë me skuadrën”, shtoi më tej presidenti i klubit, Angelo Renzetti.

Veç detyrës si ndihmës i De Biasit me Shqipërinë, Tramezzani ka luajtur në Itali edhe për Inter, Venezia, Cesena, Atalanta dhe Piacenza, si mbrojtës krahu, por edhe 6 ndeshje me Tottenhamin në Premier League. Si trajner, kjo me Luganon është eksperienca e tij e parë.

Top Channel