Stërvitja SHBA-K. e Jugut, Veriu paralajmëron “sulme të pamëshirshme”

14/03/2017 00:00

Ndërkohë që aeroplanmbajtësja amerikane “USS Carl Vinson” përshkonte ujërat e Koresë së Jugut, rivalët komunistë të Koresë së Veriut paralajmëruan Shtetet e Bashkuara për “sulme të pamëshirshme”, nëse mjeti lundrues luftarak do të nëpërkëmbte sovranitetin apo dinjitetin e tyre gjatë stërvitjes së përbashkët ushtarake mes amerikanëve dhe koreano-jugorëve.

Avionët luftarakë “F-18” u ngritën në fluturim nga aeroplanmbajtësja me kapacitete bërthamore, në një shfaqje dramatike të fuqisë ushtarake amerikane mes tensioneve gjithnjë në rritje me Veriun e izoluar komunist, që ka alarmuar edhe fqinjët e tyre jugorë me dy teste bërthamore dhe një seri lëshimesh të raketave balistike që prej vitit të kaluar.

“Ky është një dislokim rutinë i grupit të zjarrit ‘Carl Vinson’, një nga çështjet më thelbësore për ne është stërvitja detare që jemi duke bërë me Republikën e Koresë e quajtur ‘Foal Eagle’”, deklaroi kundëradmirali James Ë. Kilby, komandant i grupit të zjarrit të aeroplanmbajtëses.

Koreja e Veriut, ndërkohë, tha se mbërritja e një grupi zjarri në ujërat detare në lindje të gadishullit korean ishte pjesë e një “skeme të guximshme” për të sulmuar vendin komunist.

“Nëse ata shkelin sovranitetin dhe dinjitetin e Republikës Demokratike Popullore të Koresë, qoftë edhe sa një fije floku, ushtria jonë do të ndërmarrë sulme të pamëshirshme të precizionit të lartë nga toka, ajri, deti dhe me nëndetëse”, u njoftua nga agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA”.

“Vetëm më 11 mars, shumë avionë luftarakë të ngritur nga aeroplanmbajtëse armike kanë fluturuar në një kurs tepër të afërt me hapësirën ajrore dhe ujërat tanë territorialë, për të zhvilluar stërvitje duke hedhur bomba dhe duke bërë sulme të papritura në objektiva tokësore të ushtrisë sonë”, shtonte më tej deklarata e rrjetit televiziv të vendit komunist.

Javën e kaluar, Koreja e Veriut lëshoi 4 raketa balistike në ujërat detare të Japonisë, në kundërpërgjigje të stërvitjes ushtarake të përvitshme mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut, të cilat Veriu i konsideron si përgatitje për luftë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel