Përplasja me Holandën, Turqia injoron apelin e BE

14/03/2017 00:00

Ministria e Jashtme turke refuzoi thirrjet e zyrtarëve më të lartë evropianë për të treguar vetëpërmbajtje në kontradiktën me Holandën për fushatën politike.

Dikasteri diplomatik turk konsideroi si të pavlerë apelin e shefes së politikës së Jashtme të BE Frederica Mogherini dhe komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Përballja mes Turqisë dhe Holandës nisi pasi kjo e fundit nuk lejoi ministrat turq që të bënin fushatë mes refugjatëve turq në Holandë për një referendum që nëse miratohet, i shton tej mase fuqitë presidentit turk. Si reagim, Turqia ndaloi kthimin e ambasadorit holandez në Ankara dhe ndërpreu bisedimet e nivelit të lartë me Holandën, ndërsa presidenti turk Rexhep Taip Erdogan akuzoi holandezët se përdorin taktika naziste.

Qeveria holandeze, e cila përballet me zgjedhjet e përgjithshme të mërkurën që dominohen nga shqetësimi për emigrimin dhe radikalizmin islamik, tha se për arsye sigurie dhe rendi publik nuk lejoi mitingjet turke, që janë ndaluar gjithashtu edhe në Gjermani e Austri, por jo në Francë.

Në kuadër të kontradiktës, Mogherini dhe Hahn i bënë thirrje Turqisë që të përmbahet nga deklarata dhe veprime të tepruara që mund të përshkallëzojnë situatën, por Ankaraja nuk i ka përfillur këto. Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel është hedhur në mbrojtje të Holandës “është disi e paqartë pse Turqia nuk reagoi në të njëjtën mënyrë ndaj Gjermanisë apo Austrisë që bënë të njëjtën gjë”.

Top Channel