“Stela” pengon takimin Trump-Merkel

14/03/2017 00:00

31 milionë vetë të paralajmëruar, mbi 7.600 fluturime të anuluara, shkolla të mbyllura e rrugë të rrezikshme për qarkullim. Stuhia përbindësh e përplasur mbi brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara riktheu sërish acarin dimëror dhe thirrjet e zyrtarëve të lartë vendas për kujdes, përfshirë edhe apelin e vetë Presidentit.

“Të gjithe banorët e këtij rajoni t’u vënë veshin autoriteteve, sepse një stuhi e fuqishme dimërore po afrohet”, shkroi Donald Trump më herët në Tëitter.

Shtetet e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme e paralajmërime nga moti ekstrem janë dhënë edhe për disa pjesë të Pensilvanisë e Konektikatit.

Aeroportet më të prekura nga kushtet e ashpra atmosferike janë ata të Nju Jorkut, Uashingtonit, Bostonit, Baltimores dhe Filadelfias.

Situata e krijuar detyroi kancelaren gjermane Angela Merkel të shtynte udhëtimin e saj drejt Uashingtonit, ku do të takohej me shefin e Shtëpisë së Bardhë. Përballja me Trumpin, të cilit Merkel do t’i theksojë rëndësinë që kanë për bashkëpunimin dypalësh tregjet e lira, është lënë tani për të premten.

Ndërsa shpallte gjendjen e emergjencës, Guvernatori i Nju Jorkut Endrju Kuomo tha se udhëtarët duhet të presin mbyllje rrugësh, vonesa e anullime.

“I rekomandoj me forcë kujtdo që e ka mundësinë, të shmangë udhëtimet jo të domosdoshme gjatë ditës së marte, ndërsa ju që duhet patjetër të lëvizni me makina, bëni shumë kujdes”, thuhet në deklaratën e tij.

Stuhia Stela është afruar me erëra që mbërrijnë 100 km në orë. Në kulmin e saj, reshjet e dëborës pritet të mbërrijne maksimumi në nivelin e 10 cm në orë.

Top Channel