“Brexit” rriti çmimet, zhvlerësoi paundin

14/03/2017 00:00

Procesi i shkëputjes nga Bashkimi Europian ka sjellë rritjen e çmimit të ushqimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Një raport i “The Guardian” tregon se, fenomeni nisi gradualisht qershorin e vitit të kaluar, kur u votua për largimin nga blloku dhe kur filloi zhvlerësimi i paundit.

“Kam vënë re që çmimet janë rritur disi. Mjedra e freskët, për shembull, nga dy paund që ishte përpara dy javësh, tani shitet 50 cent më shtrenjtë. Diferanca nuk është shumë e madhe, por po të llogarisësh që kjo gjë ndodh edhe me artikuj të tjerë, atëherë rritja e çmimeve nuk është më edhe aq e papërfillshme”, tha Kate Balding, banore e Londrës.

“Brexit”, sipas saj, ka ndikim në shpenzimet e përditshme.

“Jam e sigurtë që ka ndikim, ka ndikim në çdo gjë, prandaj është e tmerrshme. Unë vet kam qenë krejtësisht kundër kësaj lëvizjeje dhe po rezulton që nuk ishte e mirë, sepse efektet e saj po ndihen”, tha më tej Balding.

Rritja e çmimeve është lidhur me zhvlerësimin e paundit, ndaj dhe mjaft britanikë mendojnë se vendi duhet të varet më shumë tani nga produktet e brendshme, sesa nga ato të importuara.

“Tani duhen përdorur më shumë produktet tona. Këtë dikton edhe logjika, sepse shpenzohen parà dhe energji duke zhvendosur ushqimet, sidomos në një vend si ky i yni, që është mjaft i pasur vet”, tha Tomerhiv, shef kuzhine.

Vendimi i Britanisë për të lënë BE-në ka shumë mundësi të rezultojë në një kosto më të lartë të tregtisë, ndërsa vendi do të izolohet edhe nga tregu i brendshëm i bllokut.

Top Channel