Lazio fiton dhe rimerr vendin e katërt

13/03/2017 00:00

Kryeqytetasit e Lazios, kanë marrë një tjetër fitore sot, duke mposhtur Torinon me rezultatin final 3-1.

Ndeshja e luajtur në “Olimpico” dhuroi shumë emocione, veçanërisht në pjesën e dytë, kur edhe u shënuan të katër golat e takimit.

Në fillim Immobile në minutën e 56-të i dha epërsinë lacialëve, por Torino reagoi dhe barazoi rezultatin me Maxi Lopez në të 72-ën.

Ekipi i Simone Inzaghit rriti forcën sulmuese me aktivizimin e Keita Balde në vend të mesfushorit Biglia, dhe pikërisht sulmuesi senegalez gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 87’, ndërsa braziliani Felipe Anderson shënoi golin final në minutat shtesë.

Me këtë fitore, Lazio rikthehet në vendin e katërt, në pritje të hapave false të Napolit për të arritur zonën Champions.

Portieri i kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha dhuroi sërish një paraqitje të mirë sonte ndaj torinezëve.

Prej disa ndeshjesh, djaloshi kuq e zi po aktivizohet si titullar dhe deri tani ka justifikuar më së miri besimin e dhënë ndaj tij.

Top Channel