Rrëfehet Pejiç: Mund të kisha luajtur për Shqipërinë

13/03/2017 00:00

Nëse Kukësi fiton titullin kampion dhe Presidenti Gjici ia kërkon, Pero Pejiç është i gatshëm të niset në këmbë drejt qytetit verilindor. Përtej kësaj batute, sulmuesi kroat në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Zona Gol” në SuperSport, beson se pas 5 vitesh investime të fuqishme, ka ardhur koha që titulli të shkojë në Kukës.

Me 119 gola në kampionatin shqiptar për Pejiçin ka një vend mes 10 golashënuesve më të mirë të historisë së elitës së futbollit shqiptar. Për 34-vjeçarin, mbrojtësi të cilin s’do të dëshironte të kishte përballë është ish-futbillisti i Laçit, Buljan, mesfushori më cilësor Bledi Shkëmbi, ndërsa e ka të vështirë të ndajë një mes Salihit dhe Ekubanit si rivalin më të fortë për Këpucën e Artë.

Përsa u përket trajnerëve me të mirë shqiptarë me të cilët ka punuar, Pejiç nuk e ka të vështirë të veçojë Mirel Josën dhe Ilir Dajën, me të cilët është shpallur kampion në Kategorinë Superiore.

Mes tre qyteteve që ka jetuar në Shqipëri, zgjedh pa asnjë dyshim Tiranën dhe nëse do t’i kishte ardhur vite më parë  një ftesë për të luajtur me kombëtaren kuqezi, do ta kishte pranuar me kënaqësi, por në moshën 34-vjeçare duhet të mendojë edhe tërheqjen, po jo shkëputjen nga futbolli, duke ju përkushtuar trajnimit.

Top Channel