Frikë nga ushtria e Kosovës, Serbia mbledh Këshillin e Sigurisë

13/03/2017 00:00

Serbia ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për vendimet e Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë në një ushtri të rregullt. Takimi me agjencitë e sigurisë konfirmon kundërshtimet e Beogradit, duke e paraqitur ushtrinë e Kosovës si rrezik. Por kjo vë në pikëpyetje edhe dialogun e Brukselit.

“Disa njerëz në botë e nënvlerësojnë përkushtimin e Prishtinës në qëllimin e refuzimit të dialogut. Kjo më brengos dhe frikëson, pasi çdo destabilitet për ne është i vështirë”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Serbia ka kërkuar qëndrimin e NATO-s në Kosovë, duke thënë se Prishtina nuk ka mbështetje ndërkombëtare. Por analisti Dushan Janjiç nuk beson se problemi është te NATO, pasi mandati i misionit të KFOR-it pritet të verifikohet nga OKB-ja. Ai beson se ideja do të jetë që NATO-ja të bëjë kontratë me Qeverinë e Kosovës për përdorimin e ushtrisë.

“Kosova tenton të shmangë Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mandatin e KFOR-it. Por duhet pasur kujdes, pasi biletë hyrëse me këtë temë i ka gjetur vetes edhe Moska. Nuk duhet harruar edhe Turqia për shkak të kampit Bonstill dhe për vështirësimin e ‘jetës’ për Europën nga Erdogan. Ushtria është një gjë që mbledh shumë lehtë njerëz nëse duhet përdorimi i armëve. Por NATO nuk do të largohet nga Kosova, e as nga Bosnja”, tha Dushan Janjiç, Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike.

Mospajtimet e reja mund të ndikojnë në pjesën normale të marrëdhënieve. Marko Savkoviç, i Forumit beogradas të Sigurisë, thotë se një gjë e tillë do të ishte humbje edhe për Prishtinën.

“Kurrë më parë nuk kemi folur për ndalimin e dialogut, pasi ky është një dialog mes dy palësh, por ekziston edhe një palë e tretë dhe kjo do të ishte në dëm edhe të vet Prishtinës”, tha Marko Savkoviç.

Formimi i ushtrisë nuk do të mbështetet as nga serbët në Kosovë, të cilët vazhdojnë bojkotin. Shumë besojnë se pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, beteja e ushtrive mund të zgjidhet në Bruksel.

Top Channel