Vuçiç: I gatshëm ta vazhdoj dialogun me Prishtinën

13/03/2017 00:00

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar këtë të hënë se është i gatshëm ta vazhdojë dialogun me Kosovën.

“Ne jemi të gatshëm për dialog sot, nesër dhe kurdo. Më duket se, disa në botë nuk e kuptojnë sa ç’duhet seriozisht përkushtimin e Prishtinës për refuzimin e dialogut, gjë që më frikëson, jo në aspektin e fuqisë së tyre dhe të asaj se çfarë do të mund të bënin kundër nesh, por për arsye se çfarëdolloj destabiliteti është shumë i dëmshëm për ne”, ka thënë Vuçiç në Beograd.

Komenti i tij ka ardhur teksa i përgjigjej pyetjes së një gazetari, i interesuar se kur pritet të vazhdojë dialogu me Kosovën, duke pasur parasysh se Kuvendi i shtetit fqinj ka miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohet ndërprerja e dialogut Kosovë-Serbi për sa kohë që ish-kryeministri Ramush Haradinaj nuk lirohet nga Franca.

Aktualisht, Haradinaj mbahet në Francë në liri me kusht, deri në përfundim të procedurave gjyqësore lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij. Haradinaj e ka vlerësuar procedurën kundër tij si një çështje politike.

Seanca e ardhshme për çështjen e Haradinajt do të zhvillohet më 6 prill, në gjykatën e Colmarit në Francë.

Top Channel