NBA, Cleveland humbet sërish

13/03/2017 00:00

Kambanat e alarmit vazhdojnë të dëgjohen te Cleveland. Skuadra kampione e NBA-së humbi ndeshjen e saj të radhës në Teksas ndaj Houston Rockets 112-117, duke regjistruar disfatën e katërt në 5 ndeshjet e fundit, e duke bërë që të dobësohen pozitat në krye të Konferencës së Lindjes.

Në “Toyota Center” të Teksasit, ai që e drejtoi Houstonin drejt kësaj fitoreje ishte i zakonshmi James Harden, që e mbylli sfidën me 38 pikë, 10 topa në tabelë dhe 11 asiste. Për më tepër, kjo ndaj Cavaliers ishte ndeshja e 31-të në këtë sezon, që Harden e mbyll me më shumë se 30 pikë personale të shënuara.

Në krahun tjetër, LeBron James shënoi 30 pikë, por në fund u detyrua të pranojë humbjen e duelit me Harden.

Fitore shënoi edhe Boston Celtics, që në “TD Garden” likuidoi Chicago Bulls, që tashmë duket se është në rënie të lirë. Bostoni e vendosi diktatin e tij në këtë takim që në periodën e parë, të cilën e fitoi 22-9, për të mbyllur më pas sfidën me rezultatin 100-80.

Thomas shënoi 22 pikë për Bostonin, ndërkohë që Wade dhe Butler nga Chicago ishin në një ditë të errët dhe u larguan nga parketi me vetëm 13 pikë të shënuara secili.

Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Miami humbi në parketin e Indianës 98-102, duke ndërprerë serinë e 4 fitoreve radhazi; Portland fitoi ndaj Phoenix në Arizona 110-101, Brooklyn mundi New York 120-112, ndërsa Philadelphia triumfoi ndaj LA Lakers 118-116.

Top Channel