Reali pa Bale, në kërkim të kreut

12/03/2017 00:00

Mungesa e Gareth Bale te Reali i Madridit është kthyer në një problem vërtet shqetësues për tifozët dhe stafin teknik. 

Futbollisti uellsian është pjesë e sulmit ideal për trajnerin Zinedin Zidan, i cili për herë të 19 këtë sezon, detyrohet të rimendojë zgjedhjet ofensive. 

Mister 100 milionëshi ka qenë jo pak herë vendimtar me fanelën e blankos dhe së bashku me Ronaldo e Benzema, inspiruan Realin në triumfe të mëdha që kur anësori firmosi në Madrid. 

Gareth Bale ishte jashtë fushavepër 3 muaj pas një operacioni në këmbë, por që prej rikuperimit ka luajtur dy ndeshje dhe madje në përballjen e fundit mori karton të kuq me Las Palmas.

Statistikat tregojnë se Bale ka luajtur më shumë minuta këtë sezon, sesa kishte vitin e kaluar po në këtë pikë prezenca e tij pas shpërdorimit të hendekut në krye të La Ligës, bëhet shqetësuese. 

Kalendari do të bëhet akoma më intensiv me Championsin që hyn në fazë kulmore dhe për një ekip që do të mbrojë kurorën europiane, do të duhen më shumë se shpikjet e Ronaldos, për të mbajtur trofetë. 

Sot Real do të përballet me Betis, në një ndeshje të rëndësishme, ku nëse marrin maksimumin, ata do të rikthehen sërish në krye të renditjes së kampionatit spanjoll.

Top Channel