Përplasja Holandë-Turqi, protesta të ashpra në Roterdam

10/03/2017 00:00

Policia e ndërhyrjes së shpejtë në Holandë është përplasur me protestuesit në Roterdam pas një mosmarrëveshjeje diplomatike që bëri që një ministre turke të nxirrej nga vendi.

Uji me presion dhe policë me kuaj u përdorën për të shpërndarë rreth 1 mijë persona të mbledhur para konsullatës turke. Ministrja turke, po përpiqej të mblidhte mbështetjen e turqve të Holandës për një referendum që do të zgjerojë fuqitë presidenciale në Turqi.

Qeveria holandeze tha se tubime të tilla do të ngrinin tensionet vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Holandë.

Fatma Betul Sayan Kaya, ministre e familjes në Turqi, kishte mbërritur në Holandë të shtunën, para tubimit të planifikuar të saj. Sidoqoftë, ajo nuk u lejua të hynte në konsullatën në Roterdam dhe u përcoll drejt kufirit gjerman nga policia. Më herët, holanda kishte ndaluar ministrin e jashtëm turk Mevlut Caushoglu të hynte në vend me avion.

Ai më pas iu drejtua Metzit në Francën veriore për të mbajtur një tubim atje. Në një postim në Facebook, kryeministri holandez Mark Rutte tha se përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme për dallimet mes dy vendeve kishin rezultuar të pamundura ndërsa ardhjen e ministres turke në Roterdam e quajti një papërgjegjshmëri.

“Bota duhet të marrë një qëndrim në emër të demokracisë, kundër këtij akti fashist. Kjo sjellje kundrejt një ministreje femër, nuk mund të jetë e pranueshme”, shkruante në anën tjetër Fatma Betul Sayan Kaya në twitter.

Ndërkohë edhe kryeministri turk, Binali Jilldirim, tha të dielën se Turqia do të përgjigjej në mënyrën më të ashpër të mundshme ndaj kësaj sjelljeje të papranueshme. Një ditë më parë, presidenti turk Recep Taip Erdogan e kishte quajtur qeverinë holandeze si pasardhëse të nazistëve dhe fashistëve për shkak të refuzimit të protestave.

Top Channel