KQZ zëvendëson opozitën; “Qytetarët të aplikojnë për në KZAZ”

10/03/2017 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton qytetarët që të kontribuojnë në administrimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017.

Shtetasit që janë të interesuar duhet të dorëzojnë dokumentacionin brenda datës 18 mars pranë KQZ apo pranë zyrave rajonale zgjedhore.

Kodi Zgjedhor detyron KQZ të shpallë kërkesën për ata që kanë interes për t’u emëruar kryesisht si anëtarë apo sekretarë të 90 komisioneve të zonave te administrimit zgjedhor, për sa kohë nga 4 parti që kanë të drejtën për të propozuar anëtarë të KZAZ-ve propozimet e tyre i kanë dorëzuar vetëm LSI dhe PS.

“Shtetasit duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret si më poshtë: Të gëzojnë të drejtën për të qenë zgjedhës; Të kenë arsim të lartë; Për pozicionin e sekretarit të jenë juristë; Të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë; Të mos kenë marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme; Të mos jenë deputetë apo kandidatë për deputetë në Kuvend; Të mos jenë kryetarë Bashkish; Të mos jenë ushtarakë, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit, apo shërbimit informativ; Të mos jenë propozuar nga partitë politike për të qenë anëtarë, apo sekretarë të KZAZ; Të mos jenë zgjedhur nga strukturat drejtuese të ndonjë partie”, tha zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj teksa lexonte kushtet për anëtarë të KZAZ.

Kodi zgjedhor përcakton se KZA jo më vonë se 90 ditë përpara datës së zgjedhjeve vendos për ngritjen e KZAZ, ndërkohë që partitë politike duhet t’i propozonin kandidaturat për anëtarë në këto komisione 15 ditë përpara afatit 90 ditor që ishte data 5 mars.

Top Channel