Erdogan, në sherr edhe me Holandën: Janë mbeturina të nazizmit

11/03/2017 00:00

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka shpërthyer kundër holandezëve, duke i quajtur “mbeturina të nazizmit dhe fashistë”.

Acarimi i Erdogan, që ka rritur tensionet diplomatike mes dy vendeve, ka ardhur pas anulimit të një mitingu që do të mbahej në Vendin e Ulët për referendumin për fuqizimin e kompetencave të presidentit turk, që do të mbahet në javët e ardhshme.

Mitingu u anulua për arsye sigurie, ndërsa avioni i ministrit të Jashtëm turk që do të fliste në këtë event, nuk u lejua të ulej në aeroportin e Rotërdamit.

Presidenti Erdogan ka reaguar duke kërcënuar se në të njëjtën mënyrë do të bllokojë fluturimet nga Holanda.

“Ndalojeni ministrin tonë të Jashtëm sa herë të doni, por nga sot e tutje do të shohim se si do të ndalohen fluturimet tuaja në Turqi”, ka thënë Erdgoan.

Nga ana tjetër, kryeministri holandez Mark Rutte i ka cilësuar deklaratat e Erdogan si “jashtë linjës” normale të diplomacisë. “Është një deklaratë e çmendur, sigurisht”, ka deklaruar Rutte.

Edhe vetë ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka paralajmëruar se Turqia mund të vendosë sanksione, ndërkohë që qeveria turke ka thirrur për sqarim të dërguarin diplomatik holandez në Ankara.

Top Channel