Lindja e Mesme, Trump fton Abu Mazen në Shtëpinë e Bardhë

11/03/2017 00:00

Lideri palestinez Abu Mazen është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump që të vizitojë së shpejti Shtëpinë e Bardhë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i kreut të Autoritetit Palestinez, Nabil Abu Rdainah, ndërkohë që është konfirmuar edhe nga Uashingtoni.

Sipas informacioneve zyrtare, dy liderët kanë zhvilluar ditën e premte një bisedë telefonike, gjatë të cilës kanë diskutuar se si të rifillojnë procesin e paqes.

Presidenti amerikan ka nënvizuar gjithashtu angazhimin e tij për një proces që të çojë në një pakt të vërtetë paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Nga ana e tij, Mazen i ka thënë Trump se angazhimi për paqen është një qëndrim strategjik për të arritur drejt një shteti palestinez, që të jetojë përkrah atij izraelit.

Muajin e kaluar, Trump priti në selinë presidenciale në Uashington kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, i pyetur për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, Trump u shpreh se, pranon çdo zgjidhje, “me një apo dy shtete”, mbi të cilën bien dakord të dyja palët.

Top Channel