“Bota në krizën më të madhe humanitare”

11/03/2017 00:00

Bota përballet me krizën më të madhe humanitare që prej vitit 1945, paralajmërojnë Kombet e Bashkuara, duke apeluar për ndihmë në mënyrë që të shmanget një katastrofë e vërtetë.

20 milionë vetë rrezikojnë të vdesin nga uria në  Jemen, Somali, Sudanin e Jugut e Nigeri raporton shefi i çështjeve humanitare në OKB, Stephen O’Brien. Unicef-i e ka deklaruar tashmë se fëmijët që rrezikojnë të humbin jetën në këtë mënyrë, janë plot 1.4 milionë. Sipas O’Brien, që të shmanget fatkeqësia, deri në muajin korrik duhen mbledhur $4.4 miliardë dollarë.

“Jemi që tani në një pikë kritike të historisë. Që në fillimin e vitit, përballemi me krizën më të madhe humanitare të regjistruar ndonjëherë që nga krijimi i Kombeve të Bashkuara. Pa përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara globale, njerëzit thjesht do të vdesin nga uria e shumë të tjerë do të vuajnë, do të shuhen nga sëmundjet”, tha Stephen O’Brien, shef i çështjeve humanitare, OKB.

Një apel të ngjashëm e drejtoi muajin e kaluar dhe sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Antonio Guterres.

Ai shpjegoi se pavarësisht premtimeve të mëdha, OKB-ja deri atëherë nuk kishte marrë veçse 90 milionë dollarë fonde.

Mjaft problematike paraqitet situata në Jemen, ku besohet se mesatarisht çdo 10 minuta, një fëmijë vdes nga sëmundje të parandalueshme, ndërsa gjysmë milioni të mitur në këtë vend vuajnë nga kequshqyerja akute.

Top Channel