Tjetër disfatë për Golden State në NBA

11/03/2017 00:00

Golden State po përjeton një moment delikat në këtë fazë të sezonit të rregullt në NBA. Skuadra e Warriors, pa Kevin Durant në radhët e saj u dorëzua ndaj Minnesotës në Target Center 102-103 duke pësuar humbjen e 4 në 6 ndeshjet e fundit.

Vendimtar për skuadrën e Minnesota-s rezultoi Andrew Wiggins që në 12 sekondat e fundit shënoi një gjuajtje të lirë për ta mbyllur ndeshjen me 24 pikë personale, 20 nga të cilat i shënoi pikërisht në 2 periodat e dyta të sfidës. Për Golden State, u panë sërish probleme në gjuajtjet nga distanca e 3 pikëve, me 7 të sakta nga 24 tentativa. Më i miri për kalifornianët ishte Klay Thompson me 30 pikë, ndërsa Stephen Curry e mbylli ndeshjen me 26 pikë.

Houston Rockets kaloi Chicago Bulls në Illinois teksa e mposhti në United Center me rezultatin 115-94. James Harden ishte ai që e drejtoi skuadrën teksane drejt kësaj fitoreje me 19 pikë dhe 13 assist, ndërkohë që në krahun tjetër, më i miri në parket ishte Dwayne Wade me 21 pikë, por që në fund nuk i shërbyen shumë skuadrës së Chicagos.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Washington mundi Sacramento Kings pas kohës shtesë 130-122, Dallas fitoi me Brooklyn 105-96, ndërsa Atlanta mposhti Toronton me rezultatin 105-99.

Top Channel