Al Khelaifi konfirmon Emery pas humbjes me Barçën

11/03/2017 00:00

Presidenti i Paris Saint Germain, Nasser Al Khelaifi konfirmon Unai Emery në pankinën e kampionëve të Francës. Numri 1 i klubit transalpin e deklaroi këtë 2 ditë pas humbjes së thellë me Barcelonën në “Camp Nou” 6-1 që i kushtoi edhe eliminimin nga Liga e Kampioneve.

“Ndjej trishtim dhe zemërim pasi dështuam në një prej momenteve më të rëndësishëm të projektit tonë”, tha Al Khelaifi në një intervistë për “Le Parisien”. “Do të vijojmë punën tonë dhe Emery do të qëndrojë me ne, duhet të ruajmë gjakftohtësinë. Do të ishte një gabim, ideja për të braktisur këtë projekt pas asaj humbje të rëndë. Edhe klubeve të tjerë në Europë iu deshwn shumë kohë për t’u stabilizuar pasi ndryshuan pronësi”.

Al Khelaifi iu kthye sërish ndeshjes së mesjavës dhe theksoi se të gjithë te Paris Saint Germain kanë përgjegjësinë e tyre, por shtoi se rezultati do të ishte krejt tjetër nëse arbitrimi do të ishte më i mirë.

“Të gjithë e panë penalltinë e Mascheranos ndaj Di Marias që nuk u dha”, vijoi al Khelaifi. “Rezultati do të ishte 3-2 dhe do të shuheshin të gjitha dyshimet. Pa harruar këtu që 11 metërshi i Luis Suarez ishte inekzistent”.

Top Channel