Përplasja me BE, opozita polake kërkon dorëheqjen e kryeministres

10/03/2017 00:00

Opozita në Poloni, e kryesuar nga Platforma Civile, ka kërkuar një votëbesim për qeverinë e kryeministres Beata Szydlo.

Opozita e akuzon kryetaren e qeverisë për “figurë të shëmtuar” të bërë në Bruksel, gjatë votimit për rinovimin e mandatit të presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk.

Qëndrimi është shprehur nga kreu i grupit parlamentar të Platformës Civile, Slawomir Neumann.

“Qeveria ka vepruar kundër interesave të shtetit dhe ka dëmtuar imazhin e Polonisë në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Neumann.

Ai ka akuzuar kryeministren për një menaxhim “qesharak” të diplomacisë polake. “Szydlo na ka diskretituar në nivel ndërkombëtar”, ka shtuar Neumann.

Polonia ishte kundër rizgjedhjes së Tusk në krye të KiE-së, por e pafuqishme për ta parandaluar atë dhe në fund nuk iu bashkua deklaratës së përbashkët të BE-së.

Çfarë i hodhi benzinë zjarrit ishte akuza që në fund të procesit kryeministrja Szydlo i bëri presidentit francez Francois Hollande, për shantazh ndaj vendit të saj.

Szydlo deklaroi se ishte e papranueshme që Hollande e kishte kërcënuar atë me bllokim fondesh me pretendimin se “nuk po sillej mirë”.

Kryeministrja paralajmëroi partnerët se Polonia nuk do të pranojë një Europë “me dy shpejtësi” dhe tha se BE do të përballet me ndarje të thella nëse vendet më të fuqishme përpiqen të pasurohen në dëm të atyre më të dobëta, duke iu referuar Polonisë dhe vendeve të Lindjes.

Top Channel