SHBA mbajnë sekret shkaqet e vdekjes së ambasadorit rus

10/03/2017 00:00

Departamenti amerikan i Shtetit ka udhëzuar shefin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Nju Jork që të mos publikojë shkaqet e vdekjes së ambasadorit rus në Kombet e Bashkuara.

Vitaly Churkin vdiq papritur në zyrën e tij në Nju Jork muajin e kaluar. Nga ana e saj, zyra e Mjekësisë Ligjore deklaroi se detajet e vdekjes do të trajtohen në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Churkin kishte shërbyer si ambasador në Kombet e Bashkuara që prej vitit 2006. Shkaqet e vdekjes së tij mbeten ende të paqarta.

“Imuniteti diplomatik i ambasadorit Churkin mbetet në fuqi pavarësisht vdekjes së tij”, thuhet në një deklaratë të Mjekësisë Ligjore.

Ndërkohë, një burim i Departamentit të Shtetit ka thënë për BBC se, rezultatet e autopsisë nuk do të publikohen në kuadër të një marrëveshjeje të arritur mes SHBA dhe OKB-së.

Në një letër dërguar Zyrës Ligjore të Nju Jorkut, Misioni Amerikan në OKB njoftonte se qeveria ruse ishte ankuar për deklaratat e bëra në lidhje me ekzaminimin mjekësor të zotit Churkin.

Top Channel