Bashkëpunoi me Fiks Fare, përjashtohet nga konvikti 15 vjeçari

10/03/2017 00:00

Më 26 janar 2017 emisioni Fiks Fare transmetoi një kronikë për kushtet e konviktit të shkollës së Mesme Profesionale “Arben Broci” në Shkodër.

Për disa ditë me radhë Fiksi tregoi se si ishte menuja e fëmijëve ,vetëm fasule dhe çaj. Mungesa e dusheve, ngrohjes, krevateve i detyroji fëmijët të kërkojnë ndihmën e emisionit Fiks Fare, por pas kësaj drejtori është hakmarrë ndaj denoncuesit duke e përjashtuar nga konvikti.

Babai i 15 vjeçarit : Djali po më fle jashtë, e përjashtuan se bashkëpunoi me Fiksin.
“Djali im po fle jashtë që pas bashkëpunimit me Fiksin për kushtet e konviktit, drejtori i konviktit e ka përjashtuar duke i thënë se ti ke shkuar tek Fiksi, ndaj je i përjashtuar” thotë Qazim Fusha për gazetarët e Fiksit. Pas këtij denoncimi grupi i xhirimit kërkoj drejtorin e këtij institucioni ,Dashamir Kazazin, ky i fundit u tregua i gatshëm të priste gazetarët. Në fjalën e tij ai u shpreh se 15 vjeçarin Rezart Fusha e kishte përjashtuar se e kishte ofenduar brenda në konvikt. “Kur më ofendon edhe pse nuk e kam në rregullore e përjashtoj menjëherë” tha z.Kazazi.

Në vendimin e përjashtimit thuhet se nxënësi është kapur me duhan. Në bazë të rregullores së konviktit nëse nxënësi kapet me duhan në ambientet e brendshme, përjashtohet menjëherë. Por rasti i Rezartit ndryshon, pasi ai është kapur duke pirë duhan para një viti dhe drejtori pohon se i ka dhënë vetëm paralajmërim. Për këtë paralajmërimë nuk ka asnjë dokument dhe i ati i Rezartit nuk është në dijeni.

Drejtor i konviktit: E përjashtova se më ofendoi. Kronika e Fiksi është thjesht rastësi
Pas këmbënguljes së gazetarëve për dokumente të shkruara, drejtori thotë se nuk i ka dhënë asnjë paralajmërim, pasi fëmija nuk e çon në shtëpi. “Nuk i kam dhënë paralajmërim sepse ai nuk e çon në shtëpi ndaj nuk ja kam dhënë, s’kam pse bëj dy kopje” shprehet drejtori i nervozuar.

Në zyrën e drejtorit vijnë edhe kujdestarët që kanë firmosur vendimin e largimit të cilët para kameras së fiksit thonë se nuk e falin nxënësin se i ka ofenduar. I vetmi person që është pro kthimit të djalit në konvikt është ish drejtori i konviktit , sot kujdestar në këtë konvikt. Ai thotë Rezarti nuk është djalë problematik dhe nëse do kthehet në konvikt ai do kujdeset personalisht për të. “Nuk është zgjidhje përjashtimi i një fëmije, se ai është fëmijë, ne duhet t’i edukojmë të gjithë fëmijët” thotë ish drejtori, Angjelin Voci.

Drejtoresha e Arsimit në Bashki në kontraditë me drejtorin e konviktit
Për këtë problem grupi i xhirimit të emisionit investigativ shkoj pranë Bashkisë Shkodër për të marrë një përgjigje. Drejtoresha ekonomike në Drejtorinë e Arsimit tha për Fiksin, se ajo ka informacion që nxënësi është përjashtuar për pirje duhani dhe nuk kishte dijeni që është përjashtuar për fyerje.

Sipas saj nëse nxënësi është përjashtuar për fyerje, do të rishihet pozicioni i drejtorit të konviktit dhe nxënësi do rikthehet në konvikt. “Unë nuk e kam këtë informacion që është përjashtuar për ofendim, por nëse ka ndodhur kjo, do rishihet pozicioni i drejtorit” tha Aulida Anamali.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel