Fotot nudo të ushtareve, thellohet skandali

10/03/2017 00:00

Pjesëtarë të ushtrisë amerikane, nga të gjitha pjesët e saj, kanë ndarë foto nudo të kolegeve të tyre femra online.

Javën e kaluar u zbulua një shpërndarje masive fotosh në “Facebook” nga marinsa aktualë dhe ish-marinsa, duke çuar në një hetim të marinës.

Por, BBC raporton edhe për një platformë tjetër ku ushtarë nga të tjera degë të ushtrisë kanë ndarë me qindra foto. Pentagoni thotë se një sjellje e tillë nuk është në pajtim me vlerat e saj. Ushtarët përdornin një platformë mesazhesh me një uebsajt imazhesh anonime, Anon IB, për të ndarë imazhe nudo të homologeve të tyre femra.

Ata shpesh postonin në fillim foto të ushtareve të veshura të marra nga faqet e tyre të mediave sociale dhe pyesnin nëse ndonjë anëtar kishte foto nudo, që ata i quanin fitore. Të tjerë më pas, postonin foto nudo.

Ato postime, ndonjëherë shoqëroheshin edhe me emrin dhe detaje të tjera të femrave, përfshirë edhe vendin ku e kryejnë shërbimin. Komente nga më të ndryshmet ndërkohë shoqëronin shumë postime.

Sjellja e raportuar më herët, kufizohej tek marinsat në “Facebook”. Një grup në “Facebook” i quajtur Marines United, me 30 mijë pjesëtarë, është mbyllur së fundmi pas shpërthimit të skandalit. Por, platforma e mesazheve në Anon IB, mbetet publikisht e aksesueshme dhe mund të tregojë se praktika të tilla shtrihen në të gjithë ushtrinë amerikane.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tha në një deklaratë se kishte lëshuar një udhëzim për të parandaluar dhe trajtuar rastet e ngacmimeve seksuale dhe përndjekjen.

Ndërsa komiteti i shërbimeve të armatosura në senat pritet të mbajë javën e ardhshme një seancë dëgjimore për këtë skandal.

Të mërkurën, dy prej viktimave folën publikisht, përkrah avokatëve të tyre, dhe u kërkuan të tjerave të dilnin hapur dhe të denonconin aktin.

Top Channel