Sulm me sëpatë, kosovari: Shpresoja të më vrisnin

10/03/2017 00:00

Sulmi me sëpatë në stacionin kryesor të trenave në Dusseldorf ka rikthyer në kujtesë ngjarjen e korrikut kur në të njëjtën mënyrë, një i ri pakistanez plagosi 5 vetë në një tren pranë Wuerzburgut.

Por policia gjermane thotë se ngjarja e së enjtes mbrëma nuk ka sfond terrorist. 36-vjeçari i arrestuar për sulmin është qartazi një person me probleme mendore, pohohet në deklaratën e forcave vendase të rendit.

Aty sqarohet se i ndaluari është nga ish Jugosllavia, por nuk thuhet se për cilin shtet bëhet fjalë saktësisht. Mediat kosovare ndërkohë shkruajnë se mund të bëhet fjalë për një person nga Kosova.

Motivi i ngjarjes së rëndë nuk është zbardhur ende. 7 persona mbetën të plagosur nga ai që autoritetet e cilësojnë një “sulm amoku”.

Tre prej tyre janë në gjëndje të rëndë. Dëshmitarët okularë e përshkruan të gjithë skenën për gazetën Bild, ku rrëfyen sesi agresori është hedhur mbi turmën e njerëzve e ka nisur të vërvisë sëpatën ndaj atyre që ndodheshin përreth tij.

Efektivët e dërguar me urgjencë në stacion kontrolluan të gjithë zonën brenda dhe përreth tij për sulmues të tjerë të mundshëm, por burri duket ka vepruar i vetëm. Gjatë kohës së operacionit policor, stacioni i trenave qëndroi i mbyllur, ndërsa kompania hekurudhore Deutsche Bahn i këshilloi udhëtarët të  kërkonin mundësi alternative lëvizjeje ose ta shtynin rrugëtimin.

Top Channel