Gjermani, i sëmuri mendor plagos me sëpatë 7 persona

10/03/2017 00:00

Sulmi me sëpatë në stacionin kryesor të trenave në Dyseldorf ka rikthyer në kujtesë ngjarjen e korrikut, kur në të njëjtën mënyrë, një i ri pakistanez plagosi 5 vetë në një tren pranë Vurzburgut.

Por, policia gjermane thotë se ngjarja e së enjtes mbrëma nuk ka sfond terrorist. 36-vjeçari i arrestuar për sulmin është qartazi një person me probleme mendore, pohohet në deklaratën e forcave vendase të rendit. Aty sqarohet se i ndaluari është nga ish-Jugosllavia, por nuk thuhet se për cilin shtet bëhet fjalë saktësisht.

Mediat kosovare ndërkohë shkruajnë se mund të bëhet fjalë për një person nga Kosova.

Motivi i ngjarjes së rëndë nuk është zbardhur ende. 7 persona mbetën të plagosur. 3 prej tyre janë në gjendje të rëndë. Dëshmitarët okularë e përshkruan të gjithë skenën për gazetën “Bild”, ku rrëfyen se si agresori është hedhur mbi turmën e njerëzve e ka nisur të vërvisë sëpatën ndaj atyre që ndodheshin përreth tij.

Efektivët e dërguar me urgjencë në stacion kontrolluan të gjithë zonën brenda dhe përreth tij për sulmues të tjerë të mundshëm, por burri duket se ka vepruar i vetëm. Gjatë kohës së operacionit policor, stacioni i trenave qëndroi i mbyllur, ndërsa kompania hekurudhore “Deutsche Bahn” i këshilloi udhëtarët të kërkonin mundësi alternative lëvizjeje ose ta shtynin rrugëtimin.

Top Channel