Europa League, barazon United, Roma përmbyset në Lion

09/03/2017 00:00

Manchester United nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në Rusi ndaj Rostov në ndeshjen e parë të 1/8 të finaleve në Europa League.

Në të ftohtin dhe fushën e mjerueshme të vendasve, Djajtë e Kuq dhuruan shumë pak emocione por arritën gjithsesi të shënonin me një aksion të dizenjuar mirë. Mesfushori Armen Henrik Mkhitarian përfitoi nga një krosim i Ibrahimoviç për t’i dhënë avantazhin anglezëve.

Në fraksionin e dytë Rostov meritoi barazimin pas një të djathte fluturimthi të Bukharov. United provoi të rimerrte epërsinë por rusët blinduan barazimin që lë të hapur kualifikimin.

Humbje edhe për Romën, në Lion, por disfata 4-2 mban gjallë shpresat e italianëve për të avancuar më tej. Ndeshja pati një ritëm të çmendur sidomos në fraksionin e parë me epërsinë e hershme të Diakabi’ dhe më pas përmbysjen momentale të italianëve me Salah dhe Fazio. Pas pushimit Lion riktheu gjithçka në favor me golat e Toliso, Fekir dhe Lacazette.

Nuk ishte e thënë të kishte fitues përplasja e Athinës mes Olimpiakos dhe Beshiktash që u mbyll 1-1 dhe shtyu diskutimin e kualifikimit për në Stamboll.
Veterani Esteban  Kambiaso i dha epërsinë helenëve dhe Abubakar barazoi për turqit.

Derbi gjerman i Europës mes Shalke dhe Mynshengladbah u mbyll 1-1, ndërsa ai i Belgjikës në këtë turne, regjistroi fitoren e Genk 5-2 në fushën e Gent, dy ekipe të ngjashme në lojë dhe në emër, por me paraqitje diametralisht të kundërt në tapetin e blertë.

Top Channel