Fukushima e braktisur, “pushtohet” nga derrat e egër

09/03/2017 00:00

Qyteti i Fukushimës është i zbrazur nga njerëzit, por natyra duket se ka nisur ta rimarrë atë dhe me dhjetëra derra të egër bredhin lirshëm në rrugët e tij.

Këto kafshë jetojnë zakonisht në male dhe shmangin zonat urbane, por tashmë kanë pushtuar qytetin e braktisur nga njerëzit që u detyruan të largohen pas katastrofës bërthamore të marsit 2011 që u shkaktuar nga tërmeti dhe tsunami që pasoi.

Namie dhe Tomioka janë dy fshatrat e para, brenda zonës së evakuuar me rreze prej 20 km nga Fukushima që do të ripopullohen nga njerëzit. Pritet që njerëzit të rikthehen më 31 mars dhe 1 prill, por së pari autoritetet duhet të dëbojnë apo eliminojnë banorët e rinj që vërtetë shmangin njerëzit, por mund të jenë shumë agresivë nëse vendosin të përballen me ta.

Për këtë arsye, autoritetet lokale kanë punësuar një grup gjahtarësh që të spastrojnë zonat rezidenciale nga miqtë e paftuar.  Gjahtarët thonë se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi largimi i njerëzve i krijoi derrave të egër kushtet perfekte për të pushtuar qytetet dhe tashmë ata e konsiderojnë territorin e tyre.

Gjahtarët thanë se para katastrofës bërthamore, vrisnin rreth 50 derra të egër në vit. Ndërsa që prej shkurtit të shkuar kanë vrarë 300, vetëm në dy fshatrat e parë ku do ët kthehen njerëzit.

Pritet që me qindra në mos mijëra të tjerë të gjenden në zonat e tjera që do të ripopullohen gradualisht. Autoritetet thanë se derrat e vrarë groposen, pasi mishi i tyre nuk mund të konsumohet meqë tek shumica e tyre janë gjetur gjurmë radioaktiviteti.

Top Channel