Artistët në protestë; Të shqetësuar për ligjin për artin e kulturën

09/03/2017 00:00

Një grup artistësh profesionistë do të protestojnë ditën e premte para Ministrisë së Kulturës, aty ku sipas tyre ndodhet historiku i sukseseve të kulturës, si një homazh për rënien e cilësisë artistike.

“Sot kemi problemin kryesor që është Bordi Artistik. Ne kemi pasur një Qendër Kulture Kombëtare, e cila është shkrirë. Me mbylljen e kësaj qendre është bërë një lloj kakofonie se kush e bën këtë bord brenda ministrisë. Është e paqartë akoma se si Kolegjiumi i Brendshëm i Ministrisë së Kulturës bën edhe punën e Bordit. A ka një bord sot brenda ministrisë dhe pse nuk bëhet publik ky bord?”, ka deklaruar regjisorja Esmeralda Stafa.

Një tjetër pikë që shqetëson artistët është edhe paqartësia në ligjin për Artin dhe Kulturën, që sipas tyre ka nevojë të rishikohet dhe ndryshohet.

“Në këto vite kemi asistuar në një hendek dhe mungesë komunikimi midis komunitetit të artistëve dhe institucioneve përgjegjëse për artin dhe kulturën, kryesisht Ministria e Kulturës. Kemi një ligj për Artin dhe Kulturën që është shumë i diskutueshëm dhe ka nevojë të rishikohet. Kjo kërkon vullnet politik për të ulur grupet e interesit, sepse në atë mënyrë siç paraqitet ligji krijohen keqinterpretime”, ka deklaruar aktivisti Andi Tepelena. Artistët shprehen të vendosur në nismën e tyre.

“Ne e nisim me një tubim paqësor dhe do të përdorim të gjitha mënyrat që do të na nevojiten për të zgjidhur problemin”, ka shtuar regjisorja Stafa.

Top Channel