Drejtori i FBI: Privatësia absolute nuk ekziston

09/03/2017 00:00

“Nuk ekziston privatësia absolute në Amerikë”, kështu ka deklaruar drejtori i FBI, James Comey, pas zbulimit të një serie dokumentesh që flasin për mjetet e piraterimit të përdorura nga CIA.

Comey, po mbante një fjalim në një konferencë mbi sigurinë kibernetike në Boston, por vlerësimi i tij, ka thelluar akoma më shumë shqetësimet për privatësinë, veçanërisht tani pas publikimit të detajeve që tregojnë se si CIA mund të hakerojë aparaturat elektronike.

“Të gjithë ne, kemi një pritshmëri të caktuar për privatësinë në shtëpinë tonë, në makinën tonë apo në aparaturat tona. Por, me një arsye të fortë, në gjykatë, qeveri apo përmes forcës së ligjit, mund të ndërhyhet në hapësirat tona private”, tha Comey.

“Edhe kujtimet tona nuk janë më private. Çdokush nga ne mund të detyrohet të tregojë çfarë ka parë…në rrethana të caktuara…një gjykatës mund të detyrojë këdo nga ne të dëshmojë në gjykatë për komunikime private”. Shqetësimet më të fundit për privatësinë lindën pasi Wikileaks publikoi atë që e quajti serinë e parë të një blloku dokumentesh për hakerimet e CIA-s.

Agjencitë federale amerikane kanë nisur ndërkohë një hetim kriminal për publikimin e këtyre dokumenteve dhe zyrtarët kanë konfirmuar se FBI dhe CIA po koordinohen për të zbuluar burimin e rrjedhjes së informacionit.

CIA, FBI dhe Shtëpia e Bardhë, kanë mohuar të komentojnë autenticitetin e tyre ndërkohë që kanë shprehur shqetësim për dëmet që kjo rrjedhje informacioni i ka shkaktuar komunitetit të inteligjencës dhe aftësisë së tij për të mbrojtur Amerikën nga terroristët apo kundërshtarët e tjerë.

Top Channel