Kriza në Maqedoni mund të zvarritet me vite të tëra e nuk është çudi që të përdoret nga disa politikanë për të ndezur një konflikt etnik, paralajmëron Ali Ahmeti, i cituar nga agjensia e lajmeve Reuters.

“Kjo është një krizë politike, ndaj duhet zgjidhur me mjete politike e jo të kthehet në një problem ndëretnik, nga i cili të përfitojnë parti të caktuara”, është shprehur Ahmeti. Ngërçi, sipas kreut të BDI-së, rrezikon të zgjasë deri në 4 vjet, kur do të mbahen zgjedhjet e reja. Por, krerët maqedonas nuk janë të gatshëm të presin aq.

Thirrjeve të Nikolla Gruevskit për zgjedhje të reja parlamentare u ka bërë jehonë edhe kryeministri Emil Dimitriev. “Mënyra sesi duan disa t’i bëjnë gjërat në Maqedoni, duke përjashtuar shumicën etnike maqedonase, turqit etnikë, romët, vllehët, boshnjakët etj., nuk arrihet dot. Përpos kësaj, debatet që hyjnë thellë në Kushtetutën e vendit u çelën në periudhën post-elektorale dhe nuk ishin pjesë e diskutimeve përpara zgjedhjeve. Besoj se këto subjekte nuk duhet të jenë privilegj i elitave politike, por i njerëzve të thjeshtë, të cilët ta thonë fjalën e tyre në zgjedhjet e reja të përgjithshme, krahas atyre lokale”, ishte komenti i Dimitrievit.

Iniciativa qytetare për Maqedoninë e bashkuar organizoi të mërkurën një tjetër marshim, ku protestuesit përsëritën kërkesën për një Maqedoni të bashkuar. Lëvizja në fjalë është mbështetëse e partisë së Gruevskit, ËMRO-DPMNE. Marshimi, ashtu si herët e tjera, nisi përpara godinës së Kryeministrisë e vazhdoi më pas përpara Parlamentit. Por, ndërsa Presidenti Gjorgje Ivanov e gjeti justifikimin e mosmandatimit të Zoran Zaevit me krijimin e qeverisë së re tek platforma e Tiranës, me pretendimin se përbënte ndërhyrje të një shteti tjetër në punët e brendshme të Maqedonisë, Rusia ka një tjetër skenar. “Russia Today” flet për një plan të Amerikës në Maqedoni, i cili në thelb, sipas saj, është të mbahet Serbia nën kontroll dhe Rusia të lihet jashtë.

Top Channel