Përmbysje historike, Barça fiton 6-1 ndaj PSG

08/03/2017 00:00

Barcelona realizon përmbysjen e madhe, atë që paralajmëroi Luis Enrique dje në konferencën për shtyp, por që askush nuk e besoi.

90 minuta të çmendura, të mbushura me emocion, prodhuan kualifikimin historik për ekipin e Barcelonës.

Ekipi katalanas e nisi mjaft mirë ndeshjen duke shënuar që në minutën e pestë me Suarez dhe pas autogolit të Kurzawa, mbyllën pjesën e parë me dy gola avantazh.

Edhe fillimi i pjesës së dytë ishte vazhdim i të parës, pasi Messi shënoi nga pika e penalltisë në të 50-ën dhe  dërgoi shifrat në 3-0.

Përmbysja e madhe ishte vetëm 1 gol larg dhe të gjithë filluan të besonin. Futbollistët e Barçës u hodhën në sulm në kërkim të golit të radhës, por “harruan” të mbrohen dhe Edison Cavani u duk se vrau shpresat e kualifikimit duke shënuar në minutën e 62-të një gol sa për  dy, pasi tashmë katalanasve ju duheshin edhe 3 gola të tjerë për t’u kualifikuar.

Megjithatë, katalanasit besuan deri në fund dhe arritën të shënojnë edhe dy gola të tjerë me anë të brazilianit Neymar, në minutën e 88’ dhe 90’, dhe qershia mbi tortë, goli i Sergio Robertos, në minutën e pestë shtesë, që i dha kualifikimin historik.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel