Zjarr në një jetimore në Guatemala, viktima e të plagosur

08/03/2017 00:00

Të paktën 19 persona humbën jetën si pasojë e një zjarri në një shtëpi fëmijësh në afërsi të kryeqyteti të Guatemalës.

Zjarrfikësit thanë se rreth 25 të tjerë mbetën të plagosur në zjarrin që përfshiu strehën fëminore “Virgen de Asuncion”.

Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, por autoritete dyshojnë se bëhet fjalë për një gjest me dashje. Një ditë më parë, policia ndërhyri në këtë qendër sociale pasi aty shpërtheu një revoltë dhe rreth 60 minorenë ia mbathën.

Raporte të pakonfirmuara thonë se revolta u organizua nga fëmijët që ishin pre e abuzimeve fizike dhe seksuale.

Policia lokale tha se zjarri nisi në një nga dhomat ku një apo më shumë persona i vunë flakën dyshekëve. Zjarri në pak minuta përfshiu dhe shkrumboi godinën.

Mediat lokale shkruajnë se disa prej fëmijëve që ia mbathën nga kjo qendër sociale thanë se kushtet aty ishin shumë të këqija dhe kjo solli edhe revoltën. Po sipas mediave, qendra duhej t’i shërbente 400 fëmijëve, por aty kishte disa qindra më shumë, diçka që konfirmon kushtet e rënduara. Për më tepër televizionet lokale thanë se qendra fëminore funksiononte edhe si burg për të miturit, ku gjykatësit dërgonin adoleshentët e përfshirë në krime.

Top Channel