Thaçi: Krijimi i FAK, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet

08/03/2017 00:00

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të mërkurën në mbrëmje se ndryshimi i misionit të Forcave të Sigurisë nuk është i njëanshëm dhe është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference të jashtëzakonshme, pas shqetësimeve të ngritura nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja për mënyrën e ndryshimit të misionit të Forcave të Sigurisë.

Presidenti Thaçi tha se ka kërkuar nga miqtë ndërkombëtarë mirëkuptim dhe se, sipas tij, askush nuk mund ta kontestojë këtë proces, përfshirë shtetet mike, NATO-n dhe anëtarët e saj.

“Ushtria e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik dhe e ka forcuar besimin e qytetarëve në vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të tyre dhe të shtetit tonë. Duhet të jemi plotësisht të bashkuar për ta përmbyllur me sukses këtë proces, i cili tërësisht varet nga vullneti i institucioneve tona shtetërore”, tha mes të tjerash Thaçi.

Top Channel