Mourinho kundër Rostov: United luan në fushë “patatesh”

08/03/2017 00:00

Duket se vetëm këta pëllumba ishin të kënaqurit e vetëm në vizitën e fundit të fushës në stadiumin e Rostov në Rusi, vend në të cilin Manchester United do të zhvillojë transfertën e kësaj të enjteje në Europa Ligë.

Si të mos mjaftonin kërcënimet e huliganëve vendas, Djajtë e Kuq duhet të përballen edhe me një terren që i ngjan fushave të patateve dhe jo një impianti modern të licencuar nga UEFA, kjo të paktën sipas Murinjos.

Tekniku portugez nuk përdori aspak diplomacinë për të kritikuar stadiumin olimpik, ku skuadra angleze luan një pjesë të kualifikimit. “E dimë detyrën ndaj rivalëve tanë por për mua është shumë e vështirë të besoj që do të luajmë në një fushë të tillë të enjten, gjithmonë nëse edhe ju e quani fushë këtë” tha Murinjo.

Luzitani ka disa dyshime për formacionin titullar ndaj rusëve. “Nuk e di vërtet se me cilin ekip do të luaj. Mkhitarian nuk di nëse do ta nisë titullar, por Ibrahimoviç do të jetë nga minuta e parë” tha trajneri i Manchester United. Formacioni anglez ka udhëtuar mbi 3 mijë kilometra deri në Rostov, aty ku ekipi vendas ka humbur vetëm një herë në 7 ndeshjet e fundit europiane.

Djajtë e Kuq janë ndërkohë në vendin e gjashtë në Premier Ligë, dhe ende larg zonës që të kualifikon në turneun elitar të klubeve kontinentale.

Top Channel