Lideri socialdemokrat Zoran Zaev ka pohuar për gazetën irlandeze “Irish Times” se mund të kërkojë miratimin e parlamentit për krijimin e qeverisë së re, duke anashkaluar kështu kompetencat e presidentit Gjorgje Ivanov, i cili u kthye në pengesën e zgjidhjes së ngërçit të krijuar në vend me refuzimin për t’i dhënë kreut opozitar mandatin e formimit të ekzekutivit.

“Ne do të donim ta merrnim aprovimin zyrtar të presidentit, por kjo tani nuk ka më rëndësi, citohet të ketë thënë Zaev. Në çdo shtet normal, ku presidenti ka vetëm pushtet ceremonial, ai është i detyruar t’ia dorëzojë mandatin ligjvënësve që sigurojnë shumicën në Parlament. Ivanov përdori një arsyetim qesharak që të mos na e dorëzojë. Është traditë e mirë që t`ia kërkosh dorën e nuses babait të saj, por edhe nëse ai nuk pranon, ti prapë mund te martohesh”, ishte komenti i liderit të  LSDM-së.

Zaev shtoi gjithashtu se druhet që synimet e miqtë e Rusisë nuk janë pozitive, ndërsa deklarata e fundit e Moskës dëshmon qartë sipas tij përkrahjen ruse për ta.

Pas një takimi urgjent, kryesia e VMRO-DPMNE-së udhëzoi lidershipin e partisë të vazhdojë luftën kundër përpjekjeve për të tjetërsuar Maqedoninë duke e kthyer në shtet bi-nacional.

Konservatoret vazhdojnë t’i mëshojnë idesë së zgjedhjeve të reja e në deklaratën e fundit të tyre theksohet se LSDM-ja është pre e një shantazhi që do t’i kushtojë shtrenjtë vendit.

Udhëheqja kriminale e kësaj partie thuhet aty, është e gatshme te pranojë lloj-lloj kërkesash vetëm që të shmangë akuzat penale dhe kjo është arsyeja perse Zaevi e pranoi platformën e Tiranës. LSDM-ja u përgjigj duke përsëritur kërkesën që Ivanovi t’i japë mandatin e krijimit të qeverisë, bllokimin e të cilit e konsideron joKushtetues.

Top Channel