Basha: Mësim deri në 16:30 për të ndihmuar gratë

08/03/2017 00:00

Në çadrën e protestës së opozitës, për herë të parë gjatë këtyre 19 ditëve, mbizotëruan gratë, të cilat, bashkë me kreun e demokratëve, Lulzim Basha, akuzuan kryeministrin Edi Rama për hipokrizi në raport me gratë.

“Modeli i tij janë trafikantët e grave dhe vajzave shqiptare, të cilët i ka bërë deputetë, kryetarë bashkish dhe drejtorë të rëndësishëm”, tha Basha.
 
Lulzim Basha thotë se me fitoren e kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme, ai ka gati planin për t’i ardhur në ndihmë konkrete grave shqiptare nëpërmjet modernizimit të arsimit parauniversitar. Një plan që garanton kujdesin për fëmijët brenda shkollës.

“Nga ora 07.30 e mëngjesit, deri në orën 16.00, shteti shqiptar, arsimi publik shqiptar do të marrë përgjegjësitë e plota për fëmijët e shqiptarëve, duke çliruar nga barra e sakrificës e pasigurisë të gjitha gratë shqiptare në marrëdhënie pune”, premtoi Basha.
Sipas kreut të PD-së, ky është një plan që kushton, por ai thotë se gjetja e fondeve është e realizueshme me largimin e qeverisë së korruptuar të kryeministrit Edi Rama.

Top Channel