SHBA: FSK ushtri vetëm përmes Kushtetutës

08/03/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në një ushtri të mirëfilltë, por kjo nuk duhet të ndodhë jashtë kornizave të Kushtetutës së vendit.

Ky ka qenë reagimi i Ambasadës së SHBA në Prishtinë, e cila përmes një deklarate thotë se është e shqetësuar nga një nismë ligjore për ta bërë këtë transformim.

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë është shprehur e shqetësuar për ndryshimin e mandatit të FSK-në në ushtri pa amendament kushtetues.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pa amandament kushtetues. Ne e mbështesim transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s.  Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Ambasada ka shprehur gatishmërinë që të përfshihet në proces këshillimi me gjithë aktorët politikë dhe ushtarakë për realizimin e këtij qëllimi, ndërsa kalimin e një ligji pa u sanksionuar në Kushtetutë, e sheh me skepticizëm.

“Miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me Forcat e Sigurisë së Kosovës si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca”, thuhet në deklaratë.

Top Channel