NATO: Do të rishqyrtojmë qëndrimin kur të ndryshojë FSK

08/03/2017 11:30

NATO mbështet FSK brenda mandatit aktual. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka deklaruar për kallxo.com se e ardhmja e FSK-së është në duart e kosovarëve.

“Kjo është një çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese. Nëse mandati i FSK-së ndryshon, Këshilli Veri-Atlantik do ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s, në kuptim të ndërtimit të kapaciteteve”, tha Lungescu.  

Në projektligjin që mund të hidhet për votim javës tjetër në Kuvendin e Kosovës, FSK cilësohet një forcë ushtarake profesionale e armatosur që mbron sovranitetin territorial të vendit. Kritikave se ky shndërrim përmes ligjit dhe jo i krijimit të paralajmëruar të forcave të armatosura nuk gëzon mbështetje ndërkombëtare, Presidenti Hashim Thaçi i është përgjijur në një intervistë për VOA se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë reflektuese ndaj këtij angazhimi të drejtë të institucioneve të Kosovës.

Serbia është alarmuar nga ky fakt dhe reagimet e politikës atje kanë qenë të ashpra, duke paralajmëruar aksion ndërkombëtar diplomatik për ta penguar shndërrimin e FSK-së në ushtri. Prej vitesh, Beogradi e pengonte Ushtrinë e Kosovës duke mos lejuar deputetët e minoritetit serb në Kosovë që të votonin ndryshimin e Kushtetutës për formimin e FAK, një forcë 5 mijë anëtarëshe, ku natyrisht përfaqësohen edhe popullsia serbe.

Top Channel