“SHBA është e interesuar për stabilitetin dhe prosperitetin e shteteve të rajonit”, deklaroi nga Kroacia zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane e Euro-aziatike, Hoyt Brian Yee. Gjatë ndalesës së tij zyrtare në Zagreb, mesazhin më të fortë Yee e përcolli për Shkupin.

Ai i ftoi të gjitha palët në Maqedoni të jenë të hapura ndaj kompromisit dhe bëri thirrje që të krijohet sa më parë qeveria e re.

“Shpresoj sinqerisht që Presidenti maqedonas t’ju krijojë deputetëve mundësinë të shprehin vullnetin e tyre e të krijohet sa më parë ekzekutivi, sepse vendit i nevojitet një qeveri e cila të vazhdojë dhe të avancojë proceset e nisura në kuadër të procesit të afrimit me BE-në”, ka thënë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.

Reagimi i tij erdhi pak pas letrës që Presidenti Gjorgje Ivanov u dërgoi Shteteve të Bashkuara, BE-së, NATO-s dhe Turqisë me kërkesën që të dënojnë platformën shqiptare, rrëzimin e së cilës e cilësonte si mënyrën e vetme për të dalë nga kriza.

Letra ngjalli reagimin e menjëhershëm të aktorëve politikë në vend. LSDM tha se Presidenti po përpiqet të argumentojë përpara botës vendimin e tij antikushtetues për të mos ja dorëzuar mandatin Zoran Zaevit. Pretendimet e kreut të shtetit i hodhi poshtë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili këmbëngul se platforma shqiptare nuk është aspak ajo e përshkruar në letrën e Presidentit.

Nuk dihet ende nëse kjo çështje do të preket gjatë bisedimeve që Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanier do të zhvillojë me Ivanovin në Shkup. Zanier ka nisur një vizitë dyditore gjatë së cilës do të takohet edhe me ministrin e Jashtëm, Nikolla Popovski dhe me përfaqësues të partive politike.

Top Channel