Ministri Klosi uron 7 Marsin nga Durrësi

07/03/2017 00:00

Në Ditën e Mësuesit, ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi zgjodhi shkollën profesionale “Beqir Çela” në Durrës për tu uruar arsimtarëve 7 Marsin. 

“Ju jeni heronjtë e heshtur të arsimit profesional, pasi keni besuar në të në kohën kur shkollat profesionale u degraduan, u shkatërruan dhe lanë në harresë. Ka qenë pasioni, dashuria, përkushtimi dhe angazhimi i këtyre mësuesve që mbajtën dyert e shkollave profesionale hapur në kohën kur pushteti i la në në rënie të lirë këtë lloj sistemi dhe këtë lloj edukimi”, tha Klosi.
 
Ministri deklaroi se misioni i mësuesve të arsimit profesional është disafish më i vështirë, pasi nuk kanë vetëm edukimin, por edhe aftësimin për tregun e punës.

“Duke qenë se arsimi dhe formimi profesional është më shumë sesa një edukim, është një mekanizëm ekonomik për zhvillimin dhe progresin e vendit, detyra juaj është disa herë më e vështirë. Vlerësimi për punën tuaj është reflektuar në ligjin e ri të arsimit dhe formimit profesional, që është miratuar tashmë. Duke i shndërruar shkollat profesionale në njësi autonome financiare, të gjitha produktet e realizuara nga shkolla do të jenë të destinuara për tregtim. Të ardhurat nga produktet e realizuara do të shkojnë për rritje pagash të mësuesve të arsimit profesional”, u shpreh Klosi.

Në takimin me mësuesit, u vlerësuan me Çmimin e Mirënjohjes 3 nga arsimtarët më të vjetër në arsimin profesional, të cilëve iu dhurua një medalje e punuar nga vetë nxënësit.

Top Channel