Të kaltrit po shtojnë “ngjyrat”

07/03/2017 00:00

I zgjedhur si President i Federatës Italiane të Futbollit për herë të dytë, Karlo Tavekio do të ketë detyrën e parë të mandatit të ri, për të bërë Xhampierio Venturën drejtor teknik të të gjitha ekipeve kombëtare.

Projekti i ideuar në kohërat e Antonie Kontes, me shumë gjasa mund të formalizohet në ditët para se përfaqësuesja e Apenineve të luajë ndaj Shqipërisë në eliminatoret e botërorit 2018.

Kombëtarja e të kaltërve ndërkohë po mendon të shtojë ngjyrat jo vetëm në lojë, por edhe vizualisht në fushë me lojtarë dhe emra të rinj. Tekniku i kombëtares italiane mund të prezantojë risitë që në ndeshjen kualifikuese në Palermo ndaj Shqipërisë, ose në miqësoren ndaj Holandës.

Emri kryesor është ai i anësorit të Romës, Emerson Palmieri që shihet si një futbollist që mund të garantojë cilësi me fanellën e skuadrës tringjyrëshe.

Gjithashtu trajneri i Italisë ka patur kontakte dhe me futbollistin tjetër të kryeqytetasve Federiko Facio, si dhe lojtarin e Napolit Amadu’ Diavara. Ky i fundit i lindur në 1997, shton muskuj dhe kilometra të tërë në formacionin e jugorëve.

Nuk përjashtohet që këta futbollistë të grumbullohen për sfidën e 24 Marsit ndaj kombëtares shqiptare në Palermo, transferta më e vështirë e ekipit të Xhani De Biazit deri më tani në eliminatoret Rusi 2018.

Top Channel