26 tifozë të Atalantës në pranga, konsumonin drogë para ndeshjeve

07/03/2017 00:00

Policia italiane ndërmori një operacion të gjerë në Bergamo kundrejt tifozëve ultras të Atalantës nën akuzën e trafikut dhe shpërndarjes së drogës, shantazhit, grabitjes dhe rezistencës ndaj zyrtarëve publikë.

Hetimet u kryen nga skuadrat e policisë së shtetit dhe Bergamos nga ku rezultojnë se tifozët ultras përpara çdo ndeshjeje duke fshehur identitetin e tyre nëpërmjet kapuçëve, konsumonin kokainë për të ndërmarrë më pas veprime të dhunshme.

26 persona janë vënë në pranga, ndërsa 41 të tjere janë nën hetim
Hetimet nisën në shtator të vitit 2015 nga ku dolën elementë të rëndësishëm kundër një grupi italian, një shtetasi shqiptar e një serb, tifozë ultras të Atalantës. Në qendër të hetimeve u përfshinë dhe dy shtetas të moshës 73 dhe 63 vjeçare.

Fakti që tifozët e Atalantës konsumonin drogë në ambientet e stadiumit përpara çdo ndeshjeje për të shfaqur më pas edhe dhunën e tyre, u verifikua edhe në janarin e vitit 2016 përpara përplasjeve që ndodhën mes tifozëve në përfundimin e ndeshjes mes Atalantës dhe Interit.

Top Channel