Liderët e BE, dakord për “Europën e shpejtësive të ndryshme”

07/03/2017 00:00

Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja kanë mbështetur idenë për një BE më të shpejtë, në një kohë kur blloku prej 28 vendesh anëtare pritet të shënojë 60-vjetorin e krijimit.

“Uniteti nuk do të thotë uniformitet”, deklaroi presidenti francez Francois Hollande, i cili organizoi takimin në Pallatin e Versajës, në afërsi të Parisit.

Në këto kushte, Komisioni Europian pranon që projektet të mos përfshijnë të gjitha vendet anëtare.

Liderët e BE-së po fokusohen në një strategji për të thelluar si bashkëpunimin ashtu edhe mundësinë që vendet anëtare të bëhen pjesë e projekteve të përbashkëta në momentin që u leverdis.

Në disa aspekte, BE është një organizutë e shumëfishtë, pasi jo të gjitha vendet anëtare janë në zonën e lirë të Schengenit dhe vetëm 19 nga 28 prej tyre përdorin euron si monedhë.

“Italia dëshiron një BE më të integruar, por edhe një BE ku të lejohen nivele të ndryshme integrimi”, deklaroi kryeministri i Italisë, Paolo Gentiloni.

Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel tha se, ajo për të cilën Unioni ka nevojë është që disa vende të kenë kurajon të ecin në atë drejtim ku vende të tjera nuk dëshirojnë të ecin.

“Një Europë e shpejtësive të ndryshme është mëse e nevojshme, ndryshe rrezikojmë stanjacionin. Nëse Europa ngel në vend dhe nuk zhvillohet më tej, atëherë paqja që ekziston rrezikon të kthehet në një rrezik  më shpejt nga sa mendohet”, tha Merkel.

Por ndërkohë, dalja e Britanisë së Madhe, që i ka dhënë një goditje psikologjike dhe buxhetore BE-së, pritet të nxjerrë nën hije përvjetorin e shumëpritur të bllokut.

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar ka nxitur mekanizmin e tërheqjes, i cili po lobohet kryesisht nga partitë populiste në vendet e Perëndimit.

Top Channel