Refuzimi i vizave për sirianët, Gjykata europiane mbështet Belgjikën

07/03/2017 00:00

Gjykata Europiane e Drejtësisë ka mbështetur vendimin e autoriteteve në Belgjikë për t’i refuzuar vizën e kërkuar për arsye humanitare një familjeje siriane.

Familja me 5 anëtarë, nga Alepo, kishte aplikuar për një vizë 90-ditore në ambasadën belge në Liban, në mënyrë që më vonë të kërkonte azil në vendin evropian.

Fillimisht këshilltari më i lartë i gjykatës deklaroi se autoritetet kishin gabuar, por më pas një trupë doli me qëndrimin se vendimi për të dhënë vizën do të kishte hapur rrugën për kërkesa të mëtejshme.

Duke kundërshtuar këshillën e Avokatit të Përgjithshëm, gjykata deklaroi se, ligji i BE-së nuk u kërkon vendeve anëtare që të lejojnë dhënien e vizave për ata njerëz që si synim final kanë kërkimin e azilit.

Vendimi përbën një fitore domethënëse për ministrin belg për Emigracionin, Theo Francken, që ka argumentuar vazhdimisht se vendet anëtare të Unionit duhet të kenë kompetenca individuale për të dhënë ose jo viza.

“OJQ-të donin të hapnin kufijtë përmes ambasadave jashtë vendit, por gjykata është treguar shumë e qartë: vizat humanitare janë një kompetencë kombëtare”, komentoi Francken në Twitter.

Ai përshëndeti 13 vende anëtare të Unionit dhe Komisionin Europian që mbështetën Belgjikën në këtë rast.

Top Channel